Po shkon në rreth 40 mijë numri i fermerëve të disbursuar me fondet nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2022. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi sot se po vijon me intensitet kryerja e pagesave, subvencione për fermerët e kualifikuar përfitues nga 9 masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2022. Referuar statistikave të publikuara së fundmi nga AZHBR, deri në datën 5 tetor 2022 janë disbursuar 39 770 fermerë, me vlerë totale financimi 3.4 miliardë lekë, për mbështetje në sektorët ku operojnë si: blegtori, bletari, prodhime bio, serra, inpute bujqësore, bimë mjekësore, certifikim, tregje bujqësore dhe peshkim. Me një fond total prej 4.9 miliardë lekë nga buxheti i qeverisë shqiptare, Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi këtë vit, është më e madhja në financimet direkte për fermerët aplikantë. Ndërkohë, AZHBR vazhdon mbështetjen financiare me skemën e naftës për agregatë/peshkimin.https://ata.gov.al/2022/10/06/skema-kombetare-financon-mbi-39-mije-fermere-me-3-4-miliarde-leke/