Qyteti të krijon përshtypjen e një qendre dinamike, ndonëse disi kaotike, në zhvillim të vrullshëm, ku ndryshimet ndodhin me ritme të shpejta.
Qyteti, i cili deri në vitet 1990 renditej ndër kryeqytetet më të varfra të Evropës, po përjeton një bum ndërtimi.
Deri vonë nuk kishte ndërtesa shumëkatëshe, ndërsa tashmë janë planifikuar rreth 30 rrokaqiej, të cilët kanë nisur të ndërtohen ose janë përfunduar.
Pse Tirana po shndërrohet në destinacionin urban turistik të së ardhmes?
Turizmi po rritet me ritme të shpejta.
Në vitin 2025, Shqipëria regjistroi 12,5 milionë vizitorë që kaluan të paktën një natë në vend, më shumë se dyfishi i 6,1 milionë vizitorëve të regjistruar përpara pandemisë.
Dy dekada më parë, ky numër ishte vetëm 3,3 milionë.
Krijohet përshtypja se një vizitë pas pesë vitesh do të zbulonte një qytet krejtësisht të transformuar.
Pavarësisht mënyrës se si mund të evoluojë, Sheshi Skënderbej mbetet zemra e Tiranës.
Ai është një shesh i dedikuar këmbësorëve, aq i madh sa të krijon ndjesinë sikur mund të dallosh lakimin e Tokës (ose ndoshta bëhet fjalë thjesht për një ngritje të lehtë në qendër të tij).
Rreth sheshit ndodhen institucionet kryesore kulturore të qytetit, përfshirë Teatrin e Operës dhe Muzeun Historik Kombëtar, i cili do të qëndrojë i mbyllur deri në vitin 2028.
Nga sheshi mund të shijohet panorama urbane e Tiranës dhe, menjëherë pranë tij, ngrihet kulla 31-katëshe prej xhami “Sytë e Tiranës”, me katet e mbivendosura në mënyrë jo të rregullt, si blloqe të lojës “Tetris” që nuk përshtaten plotësisht.
Pak më tej ndodhet kulla 40-katëshe “Downtown One”, në fasadën e së cilës është vendosur një hartë tridimensionale e Shqipërisë, e cila del jashtë sipërfaqes së godinës.





