Shvarc u shqua me përkthimet e letërsisë nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Njihet për punën e bërë me shqipërimin e letërsisë gjermane dhe “Eksodin” e Leon Uris.
Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit.
Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.
Emri i Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit.