Muzeu Historik Kombëtar çeli sot ekspozitën me titull “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit XIX”. Kjo ekpozitë përmban 45 riprodhime të tablove, ku shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX. Këto tablo janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve evropianë të shekullit XIX, të cilët krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve dhe ngjyrave dhanë edhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak. Në fjalën e tij pëshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, e cilësoi ekspozitën në fjalë si një aktivitet kulturor të veçantë, në të cilën Shqipëria del në pah në krijimtarinë e udhëtarëve të huaj, pavarësisht se nuk ekzistonte ende politikisht. Sipas dr. Koçit, piktorë të huaj britanikë apo francezë, qëndruan në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, për të vizituar më pas qendra të tjera urbane. Këto punime gjenden në muze të rëndësishëm të hapësirës europiane, si në muzetë britanikë, apo në Muzeun e Luvrit. Dr. Koçi përfundoi duke e vënë theksin se jemi në vitin ku xhubleta u bë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, dhe në faktin që pikturat e ekspozitës janë të shoqëruara edhe me objekte të fondit etnografik të Muzeut Historik Kombëtar. ATA