Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE Shqipëria, progres në integrimin në BE

 Shqipëria, progres në integrimin në BE

Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po viziton Shqipërinë në kuadrin e një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor. Von der Leyen vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe evidentoi progresin e rëndësishëm që Shqipëria po bën në rrugën e saj të integrimit evropian. “Niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në pas çeljes së negociatave dhe vendosmëria e vendit tim për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian, e bëjnë vizitën tuaj në Tiranë të veçantë dhe të rëndësishme”, tha ai. Presidenti tha se kjo vizitë jo vetëm konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes nesh, por është edhe një mesazh inkurajimi dhe mbështetje e madhe për Shqipërinë në këto momente kërcënimesh e sfidash për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryetari i Shtetit e siguroi Presidenten e Komisionit Evropian se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me axhendën evropiane dhe se objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm. Ai tha se raporti i progresit për Shqipërinë është një udhërrëfyes i paanshëm dhe i nxit të gjitha institucionet shqiptare të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Më pas, duke u ndalur në projektet konkrete të bashkëpunimit, Begaj nënvizoi se investimet domethënëse në sektorët kyç të ekonomisë si infrastruktura dhe energjia garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe rajonit duke ndihmuar në arritjen e standardeve për një anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. “Paketa e mbështetjes energjetike dhe investimet në infrastrukturë mbështetur nga Komisioni Evropian i hapin rrugë ndërlidhjes më të mirë të Shqipërisë me vendet e rajonit si dhe e përafrojnë atë me standardet më të mira të BE-së. Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave themelore të BE-së dhe integrimi në familjen evropiane është objektivi i saj më i madh strategjik”, tha ai. Begaj vlerësoi angazhimin më të fundit të BE-së për të bashkëfinancuar projektin e rehabilitimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, me një rëndësi shumë të madhe për lidhjen e Shqipërisë me rrjetin hekurudhor evropian. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së vëmendjes së BE-së dhe vendeve anëtare ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar vendimin më të fundit të marrë nga Presidenti i Këshillit Evropian për zhvillimin së afërmi në Tiranë, të takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor. Begaj përshëndeti gjithashtu vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara dhe e miraton liberalizimin e vizave për shtetasit e saj si dhe e konsideroi realizimin sa më parë të këtij angazhimi nga ana e BE-së si një hap tjetër të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.https://ata.gov.al/2022/10/27/begaj-von-der-leyen-shqiperia-progres-ne-integrimin-ne-be/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments