Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Në këtë njoftim thuhet se falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet. Nga ora 14:00, do të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. “Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike”, thuhet tutje në njoftimin e ME-së. Sipas ME-së bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi. Përndryshe paraprakisht KEDS përmes një komunikate për media kishte njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=614478
Shqipëria ndihmon Kosovën, evitohet kriza energjetike
RELATED ARTICLES