Lindi në Vushtri të Kosovës më 1873. Kreu Gjimnazin Francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës osmane “Mylkije” në Stamboll. Ishte tri herë deputet në parlamentin osman. Bashkë me Ismail Qemalin, ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, ishte ndër organizatorët e kryengritjes kundërserbe të shtatorit, kurse më 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Më 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar dhe u ngarkua nga Këshilli i Lartë për të ndërtuar qeverinë më 7 dhjetor 1921.
Në periudhën 1922-23 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, kurse më 1924, teksa udhëhiqte lëvizjen e armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit në Shqipëri. U kthye në Tiranë më 1924, por u largua më 1925, për të jetuar në mërgim, deri në vdekje.
Pas atentatit, Hasan Prishtina u varros në varrezat e Selanikut, nga ku u soll në Shqipëri më 1977, për t’u rivarrosur me ceremonial shtetëror në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Kukësit.





