Marrëveshja paraprake u arrit gjatë negociatave mes Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
Sipas një njoftimi të publikuar sot, synimi është të garantohet më shumë qëndrueshmëri në tregun e karbonit në afat të gjatë dhe të mbrohet aftësia konkurruese e industrisë evropiane.
Sistemi evropian i tregtimit të emetimeve (ETS) u kërkon bizneseve në sektorë si prodhimi i energjisë elektrike, industria përpunuese dhe aviacioni të blejnë leje për sasinë e gazeve ndotëse që lëshojnë në atmosferë.
Gjatë viteve të fundit, në treg është krijuar një tepricë e madhe lejesh, pasi janë vënë në dispozicion më shumë leje sesa janë përdorur nga kompanitë.
Lejet që mbeten të papërdorura grumbullohen në një rezervë të posaçme, të quajtur Rezerva e Stabilitetit të Tregut (MSR).
Kjo rezervë shërben për të rregulluar sasinë e lejeve në treg, duke mundësuar shtimin e tyre kur është e nevojshme.
Sipas marrëveshjes së re, kufiri mbi të cilin lejet e mbajtura në rezervë bëhen të pavlefshme, do të rritet nga 400 milionë në 700 milionë.
“Ngritja e këtij kufiri do të forcojë qëndrueshmërinë afatgjatë të tregut evropian të karbonit dhe do të krijojë një rezervë më të madhe, për të përballuar luhatjet e ardhshme të tregut, duke parandaluar njëkohësisht tepricën e madhe të lejeve të emetimit”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja duhet të miratohet zyrtarisht edhe nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian.
Sistemi i vendosjes së një çmimi për emetimet e karbonit, synon t’i nxisë sektorët që konsumojnë shumë energji, të ulin ndotjen që shkaktojnë.
Aktualisht, sistemi përfshin rreth 40% të emetimeve të përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Sistemi ETS është vlerësuar për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimin e teknologjive më të pastra.
Megjithatë, ai është përballur me kritika për shkak të çmimeve vazhdimisht të larta të energjisë në BE, të cilat janë rritur më tej që nga fillimi i luftës në Iran.





