Sipas vendimit, kompensimi do të llogaritet mbi sasinë e karburantit të konsumuar gjatë pesë muajve, por jo më shumë se 110% e sasisë mesatare mujore të karburantit të përdorur nga secila shoqëri gjatë periudhës mars-maj 2026.

Për këtë qëllim, subjektet duhet të paraqesin vetëm një kërkesë për kompensim, pas përfundimit të periudhës përkatëse, pranë administratës tatimore ku janë të regjistruara.

Dokumentacioni që duhet të dorëzohet përfshin kërkesën sipas formularit të përcaktuar në vendim, kopjen e licencës së vlefshme për transportin, të dhënat identifikuese të subjektit, emrin e bankës dhe IBAN-in e llogarisë bankare në lekë.

Në vendim, theksohet se kërkesat do të paraqiten pas datës 10 të muajit pasardhës, duke filluar nga nëntori 2026. Në rast se dokumentacioni është i paplotë ose ka mangësi, administrata tatimore duhet t’ia kthejë subjektit kërkesën brenda pesë ditëve pune, për plotësimin e dokumenteve.

Për shoqëritë që nuk kanë ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars-maj 2026, si bazë referimi për kompensimin do të merret konsumi mesatar mujor i karburantit gjatë muajve të plotë kur kanë ushtruar aktivitet. Përllogaritja do të mbështetet në dokumentacionin provues të paraqitur nga subjektet dhe të verifikuar nga administrata tatimore.

Kërkesat për përfitimin e kompensimit do të pranohen deri më 16 nëntor 2026.