Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka njoftuar hapjen e shkollës verore “Jam Shqiptar”, një projekt i kushtuar për 20 djem e vajza me origjinë shqiptare, të lindur dhe rritur në Itali. Kjo shkollë verore, e cila do të zgjasë 10 ditë, është organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.
“Shkolla verore ‘Jam Shqiptar’ është një udhëtim gjuhësor, kulturor dhe historik në Shqipëri,” deklaroi ministri Hasni në rrjetet sociale. “Është detyrimi ynë të mundësojmë dhe garantojmë ruajtjen e identitetit kombëtar për brezin e ri në diasporë”, vijoi Hasani.
Ky projekt ka për qëllim të përforcojë lidhjet kulturore dhe gjuhësore të të rinjve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke i njohur ata më mirë me rrënjët e tyre kombëtare dhe historinë e pasur të Shqipërisë.
Ministri Hasani u uroi mirëseardhjen të rinjve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor për të ardhmen e diasporës shqiptare.