Në Libofshë të Fierit, 114 vjet më parë u hap shkolla e parë shqipe, e cila shënon edhe shkollën e parë shqipe në të gjithë Myzeqenë, në trekëndëshin Berat, Lushnjë, Vlorë. Shkolla e parë shqipe e Libofshës, u hap si rezultat i luftës dhe përpjekjeve të patriotëve shqiptarë, të përfshirë në lëvizjen e madhe të Rilindjes Kombëtare. Më së shumti erdhi si rezultat i aktivitetit patriotik të Klubit “Bashkimi”, kryesuar nga Bab Dudë Karbunara, anëtar i të cilit ishte dhe Jovan Ndreko nga Libofsha. Jovan Ndreko ishte mësuesi i parë i kësaj mësonjëtoreje, klasa e parë e së cilës kishte 17 nxënës. Për shkollën, shërbyen një pjesë e sarajeve të Nedin bej Leskovikut. Në vitin e tretë të kësaj shkolle, u shtua si mësues edhe Anastas Laska nga Libofsha, “Mësues i Popullit”. Përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Myzeqe kanë qenë më të hershme se viti 1908. Tentativa e parë për të hapur shkollën e parë shqipe në Myzeqe, daton në vitin 1905, nga Nebi Sefa, një nga nënshkruesit e pavarësisë dhe bashkëveprimtar me Ismail Qemalin. Hapja e shkollës së parë shqipe në Libofshë, ishte një dëshmi e vlerave të jashtëzakonshme arsimdashëse dhe atdhetare të banorëve të kësaj zone.https://ata.gov.al/2022/08/25/shkolla-e-pare-shqipe-ne-myzeqe/
Shkolla e parë shqipe në Myzeqe
RELATED ARTICLES