Nga sot deri në 16 korrik, nis në Shkodër një event i jashtëzakonshëm gastronomik me 30 restorante dhe shefat e tyre që bashkojnë forcat për të treguar një anë që vlen për t’u zbuluar dhe shijuar. “Shkodra International Food Event” (SHIFE), është menduar dhe konceptuar si një festival i ushqimit dhe pijeve shqiptare për të nxjerrë në pah vlerat kulinare të qytetit që synohet të kthehet në një traditë të përvitshme. Jo më kot e tërheq vëmendjen një ngjarje e tillë. Në kohën që jetojmë ushqimi po merr një rol gjithmonë e më të rëndësishëm. Ideja për të krijuar një festival të dedikuar plotësisht ushqimit dhe pijeve të zonës i takon kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia, ku së bashku me ekspertizën e shefit Carlo Zarri, do të synohet të krijohet një sinergji mes Shkodrës dhe Piemontes për ta ngritur dhe promovuar skenën gastronomike. E përditshmja “Corriere della Sera” i ka kushtuar një faqe të plotë faktit që në festival do të jetë i pranishëm një prej shefave më të famshëm të kuzhinës italiane, Carlo Zarri. Nën titullin “Nga Michelle Obama në Ballkan”, këtij eventi i ka kushtuar një shkrim edhe e përditshmja e njohur italiane “Corriere della Sera”. “Nga Piemonte në Shqipëri, pasi ka gatuar për emrat e mëdhenj botëror si (Sophia Loren, Michelle Obama, Armani, Ferrari etj.), Carlo Zarri, pronari i hotel-restorantit “Villa San Carlo di Cortemilia (Cuneo) do të jetë në Shkodër, ku prej 14-16 korrikut merr jetë edicioni i parë i festivalit “SHIFE”, një festival ndërkombëtar i ushqimit i organizuar nën kujdesin e kryetarit të ri të bashkisë Bardh Spahia, me përkujdesjen e shefit piemontez të kuzhinës”, thuhet në shkrim. Festa është e Shkodrës, por në këto tri ditë, qyteti i luleve, është i hapur për miqtë nga e gjithë Shqipëria për të ndarë me ta ushqimet e saj, në këtë kremtim të parë të këtij lloji.