SHBA dhe Britania e Madhe po zgjerojnë ndalimin e tyre për importet e metaleve të prodhuara në Rusi, për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës. ”Alumini, bakri dhe nikeli i prodhuar në Rusi pas 13 prillit nuk do të tregtohen më në dy bursat më të mëdha të metaleve në botë, në Londër dhe Çikago”, njoftuan departamentet e Thesarit të SHBA-së dhe BM-së.
Kjo do të përjashtonte prodhuesit rusë të metaleve nga fitimet e Bursës së Metaleve të Londrës dhe Bursës Tregtare të Çikagos dhe do të reduktonte një burim të rëndësishëm të ardhurash për Kremlinin për të financuar luftën e tij në Ukrainë.
”Veprimi i përbashkët i të dy vendeve bazohet në ndalimin e importeve të metaleve dhe synon eksportet ruse të aluminit, bakrit dhe nikelit me vlerë 40 miliardë dollarë”, shtoi Thesari britanik. Metalet janë malli më i madh eksportues i Rusisë pas energjisë. Bursat e metaleve luajnë një rol qendror në lehtësimin e tregtisë së metaleve industriale në mbarë botën.
”Ndalimet janë përcaktuar ngushtë për të kufizuar ndërprerjen e tregut duke përjashtuar nga ndalimi aluminin, nikelin dhe bakrin rus të prodhuar para 13 prillit 2024”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller. Ai njoftoi gjithashtu se kjo masë zbaton deklaratën e krerëve të shteteve dhe kryeministrave të G7 për të ulur të ardhurat e Rusisë nga tregtia e metaleve.
“Ndalimet tona të reja për metalet kryesore, në koordinim me partnerët tanë në Mbretërinë e Bashkuar, do të vazhdojnë të synojnë të ardhurat që Rusia mund të fitojë për të vazhduar luftën e saj brutale kundër Ukrainës,” tha sekretarja e Thesarit, Janet L. Yellen. “Duke ndërmarrë këtë veprim në një mënyrë të qëllimshme dhe të përgjegjshme, ne do të reduktojmë të ardhurat e Rusisë duke mbrojtur partnerët dhe aleatët tanë nga efektet e padëshiruara të përhapjes”, theksoi ajo.
Kancelari britanik i Thesarit, Jeremy Hunt shprehu një pikëpamje të ngjashme. “Çaftësimi i kapacitetit të Putinit për të zhvilluar luftën e tij të paligjshme në Ukrainë arrihet më mirë kur ne veprojmë së bashku me aleatët tanë”, tha ai.