Samiu, ishte intelektual, gazetar, leksikograf, dramaturg dhe një ndër ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare. Ai ishte mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar. Duke ndjekur shembullin e vëllezërve, Abdylit dhe Naimit, Samiu shfaqi zell të pangjashëm në lëvizjen kombëtare.
Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe ‘’Drita’’ dhe ‘’Dituria’’ në Stamboll. Nga tetori i vitit 1879 drejtoi “Shoqërinë e të shtypurit shkronjat shqip”. Ai është autor i mbi 50 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, disa prej të cilave janë: “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Kamus al Alam”, enciklopedia turke (1889–1896), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (1886).
“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (1899) ishte vepra e cila shtjelloi idetë mbi çështjen kombëtare. Ajo u botua në Bukuresht në vitin 1899 pa emrin e tij dhe arriti të bëhej manifesti politik i lëvizjes kombëtare.





