Shkrimtari i njohur Salman Rushdie u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi u sulmua me thikë gjatë një aktiviteti letrar një ditë më parë në Nju-Jork. Shkrimtari 75-vjeçar u transportua me helikopter drejt spitalit për një ndërhyrje kirurgjikale, por gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e paqartë. Ai është goditur të paktën një herë me thikë në qafë dhe në bark, sipas burimeve zyrtare të policisë nju-jorkeze. Sipas njoftimeve më të fundit të medias amerikane, përfshi edhe gazetën “Neë York Times”, agjenti i shkrimtarit, Andrew Wylie është shprehur se klienti i tij ishte në frymëmarrje të drejtuar dhe e kishte të pamundur të fliste. “Lajmet nuk janë të mira”, tha ai. “Salman ka gjasa të humbasë njërin sy. Nervat e njërës dorë i ka të dëmtuara. Mëlçia e tij gjithashtu është prekur nga thika dhe për pasojë është dëmtuar”, shtoi ai. Autori i sulmit fizik u hodh në skenën e aktivitetit, që po ndiqej nga qindra njerëz, dhe e goditi me thikë shkrimtarin e njohur, deklaroi një zëdhënës i policisë. Organizatorë të aktivitetit dhe pjesëmarrës ndërhynë dhe e neutralizuan autorin e sulmit, një 24-vjeçar, i cili u arrestua më pas nga policia. Rushdie u ndihmua fillimisht nga një mjek i pranishëm në audiencën e aktivitetit dhe më pas u dërgua në spital me helikopter. Autori i ngjarjes mendohet se ka vepruar i vetëm, deklaroi zëdhënësi i policisë. Rushdie po mbante një referat në një qendër kulturore si pjesë e një serie aktivitetesh me titull “Më Tepër se një Strehë”, e organizuar për të diskutuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si strehë e sigurt për shkrimtarët dhe artistët e persekutuar në mërgim. Vepra e Rushdies e titulluar “Vargje Satanike” është e ndaluar në Republikën Islamike të Iranit që prej vitit 1988, pasi myslimanët e konsiderojnë blasfemi. Një vit më herët, udhëheqësi i atëhershëm i Iranit, Ajatollah Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një fatva ose dekret për vdekjen e Rushdie. Një shpërblim prej më shumë se 3 milionë dollarësh është premtuar për këdo që do të vriste shkrimtarin. Qeveria e Iranit është distancuar prej kohësh nga dekreti i Khomeinit, por ndjenja urrejtjes ndaj Rushdie vazhdon.http://ata.gov.al/2022/08/13/rushdie-ne-frymemarrje-me-oksigjen-rrezikon-te-humbase-njerin-sy-pas-sulmit-ne-shba/
Rushdie në frymëmarrje me oksigjen, rrezikon të humbasë njërin sy pas sulmit në SHBA
RELATED ARTICLES