Sektori i aviacionit në Shqipëri po shënon një tjetër moment kulmor, teksa kompania ajrore “Ryanair” ka hapur zyrtarisht bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke konsoliduar më tej pozicionin e vendit në hartën evropiane të transportit ajror.

Investimi kap vlerën e rreth 400 milionë dollarëve dhe përfshin vendosjen e katër avionëve në bazë, çka pritet të çojë numrin e pasagjerëve në rreth 4 milionë në vit. Kjo përfaqëson një rritje mbi 50% krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar zgjerimin e shpejtë të tregut të fluturimeve në vend.

Për sezonin veror 2026, kompania do të operojë 44 destinacione direkte nga Tirana, prej të cilave 21 janë destinacione të reja. Zhvillimi pritet të mbështesë mbi 3 000 vende pune, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë vendase dhe sektorin e turizmit.

Ky progres është mbështetur edhe nga investimet strategjike të “Kastrati Group”, të cilat kanë mundësuar modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve operacionale në aeroport.

Drejtuesi i Ryanair, Michael O’Leary, e cilësoi Shqipërinë si tregun e aviacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë, ndërsa theksoi se planet e ardhshme synojnë arritjen e 6 milionë pasagjerëve dhe 60 destinacioneve në vitet në vijim.

Zhvillimi i fundit konfirmon progresin e qëndrueshëm të sektorit të aviacionit në Shqipëri dhe rolin në rritje të Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës si një nyje kyçe për lidhshmërinë rajonale dhe ndërkombëtare.