Tashmë telefonat celularë e kanë ridimensionuar rolin e tyre duke kaluar nga përdorimi tradicional për kryerjen e thirrjeve zanore, drejt ofrimit të aksesit të gjerë në botën virtuale, shfletim informacionesh, transmetim të dhënash, kryerje e thirrjeve audio/video, sms, etj, gjë e cila ka ndikim të drejtpërdrejt në volumin e të dhënave të transmetuara në shërbimet celulare.

Sipas raportit vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike (AKEP) për vitin 2024, numri i pajtimtarëve aktivë që kanë përdorur shërbimin internet celular në fund të vitit 2024, rezultoi të jetë rreth 2,1 milionë pajtimtarë, çka përbën një rritje me rreth 0.42% krahasuar me vitin pararendës.

Të ardhurat e sipërmarrësve nga komunikimet elektronike në vitin 2024 ishin 39.3 miliardë lekë, duke shënuar rritje me rreth 4% nga viti i kaluar.

Nga shërbimet e ofruara nëpërmjet rrjeteve celulare të ardhurat llogariten rreth 28 miliardë lekë duke vijuar të zënë peshën më të madhe me 71% të totalit të të ardhurave, ndërsa të ardhurat nga shërbimet nëpërmjet rrjeteve fikse ishin 11 miliardë lekë, apo 29% e totalit të të ardhurave të tregut të komunikimeve elektronike.