Romë: Kryevepra e Caravaggio-s blihet pë 30 milionë euro

0
2

Lajmi u bë i ditur nga ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli.

Sipas ministrisë, marrëveshja u arrit pas më shumë se një viti negociatash.

Pas përfundimit të procedurave administrative, piktura do të bëhet pjesë e pasurisë shtetërore dhe do të ekspozohet në mënyrë të përhershme në “Palazzo Barberini” në Romë, në koleksionin e Galerive Kombëtare të Artit Antik.

Autoritetet italiane e konsiderojnë këtë një nga investimet më të mëdha që shteti ka bërë ndonjëherë për blerjen e një vepre arti.

Qëllimi është të forcohen koleksionet publike dhe të shmanget që kryevepra të tilla të përfundojnë në tregun privat.

Piktura paraqet Maffeo Barberini, i cili më vonë u zgjodh papë më 6 gusht 1623, duke marrë emrin Urban VIII.

Vepra mendohet të jetë realizuar rreth vitit 1598, kur Barberini ishte rreth 30 vjeç.

Kjo pikturë ishte pjesë e një koleksioni privat dhe u ekspozua për herë të parë për publikun në vitin 2024 në Palazzo Barberini, ku tërhoqi interes të madh nga studiuesit dhe vizitorët.

Në botë njihen vetëm rreth 60 vepra të atribuara Caravaggio-s, ndërsa portretet e realizuara prej tij janë shumë të rralla, çka e bën këtë blerje edhe më të rëndësishme për trashëgiminë kulturore italiane.