Në qytetin e Shkodrës ka nisur puna për rikualifikimin e bllokut të pallateve në rrugën “Isuf Sokoli” me fondet e bashkisë. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “fillimisht po bëhet lirimi i hapësirave publike nga IMT dhe Policia Bashkiake, për të nisur më pas me transformimin e plotë të këtij blloku banimi”. Sipas tij, punimet për këtë bllok banimi pritet të zgjasin rreth 6 muaj.
Kryebashkiaku Beci shprehu falënderim për banorët e zonës, një pjesë e të cilëve kryen lirimin vullnetar të hapësirave të zëna në vite. Vitin e kaluar në qytetin e Shkodrës u realizua projekti i ndërhyrjes rigjeneruese në blloqet e banimit në rajonet 1 dhe 2. Projekti përfshiu rigjenerimin e fasadave duke përdorur sistemin kapot (termoizolim), për rritjen e eficiencës energjetike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së objekteve për një periudhë më afatgjatë.