Ricky Gervais nderohet me çmimin “Jane Goodall”për angazhimin në mbrojtje të kafshëve

0
4

Gervais, së bashku me aktorin Peter Egan, i njohur për rolin në serialin “After Life”, janë prej kohësh mbështetës të fortë të mirëqenies së kafshëve. Egan është gjithashtu bashkëthemelues dhe patron i organizatës bamirëse “All Dogs Matter”, si dhe mbështet disa iniciativa të tjera në këtë fushë.

Të dy u bënë përfituesit e parë të një çmimi të ri të ndarë gjatë edicionit të parë të “Jane Goodall Institute Hope Gala”, të zhvilluar në Londër më 23 mars. Në një postim në rrjetet sociale, Gervais falënderoi organizatorët për çmimin “Unwavering Advocacy for Animals”, duke shtuar me humor se do ta vendosë atë në raft.

Gervais e pranoi çmimin gjatë kësaj mbrëmjeje frymëzuese, duke u vlerësuar për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.

Së fundmi, ai ka dhuruar rreth 2.5 milionë paund për organizata bamirëse që mbrojnë kafshët, të ardhura nga turneu i tij “Mortality”. Ndërkohë, në vitin 2023, përmes shitjes së biletave për shfaqjen “Armageddon”, Gervais mblodhi rreth 1.9 milionë paund, të cilat i dhuroi gjithashtu për kauza të ndryshme në mbështetje të kafshëve.

Ky vlerësim vjen si një tjetër dëshmi e rolit të tij aktiv në promovimin e mirëqenies së kafshëve në nivel global.

Jane Goodall, e lindur në Londër në vitin 1934, u bë një nga studiueset më të njohura në botë për sjelljen e shimpanzeve. Studimi i saj në Tanzani, i nisur në vitin 1960, konsiderohet si kërkimi më i gjatë në terren mbi një specie të vetme në natyrë. Në vitin 1977, ajo themeloi Jane Goodall Institute, që synon mbrojtjen e shimpanzeve dhe promovimin e projekteve edukative për të rinjtë.

Çmimet “Jane Goodall Hope Awards” vlerësojnë individë që, përmes pasionit dhe përkushtimit, kontribuojnë në përmirësimin e së ardhmes për kafshët, njerëzit dhe planetin. Ndër të nderuarit ishte edhe Jill Robinson, themeluese e organizatës “Animals Asia”, e vlerësuar për fushatën e saj 30-vjeçare kundër praktikës së nxjerrjes së tëmthit të ariut.

Gala u organizua në mbështetje të “Jane Goodall Institute UK” dhe “Roots & Shoots UK”, duke përfshirë edhe ankande bamirësie për të mbledhur fonde për kauzat në mbrojtje të kafshëve.