Restaurohet “Guna përmbi tela”, së shpejti vjen premiera

0
3

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Fondazione Gramsci di Puglia kanë restauruar filmin “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrim Fejzo, prodhim i vitit 1977. Premiera e filmit të restauruar do të jetë më 15 maj, në Kinema Millennium. Restaurimi digjital i këtij filmi dhe eventi i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”. Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali. Filmi mban emrat e një sërë artistësh nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare si: Ilia Terpini në kamera, muzika nga Kujtim Laro, skenari nga Duro Mustafaj, piktor Azis Karalliu, kostumografia nga Alush Shima etj. Filmi “Gunat përmbi tela” bazohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme historike, siç është ikja nga Vlora e trupave italiane të mbetura pas Luftës së Parë Botërore. Luftëtarët hyjnë në kampin e rrethuar armik jo me ndihmën e armëve të sofistikuara të kohës por me ndihmën e gunave që hedhin mbi telat me gjemba. Në rolet kryesore interpretojnë: Thimi Filipi, Fatos Sela, Stavri Shkurti, Luftar Paja, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko, Jani Riza, Raimonda Bulku, Liza Laska, Muhamet Sherri etj.