Teqeja e Koshtanit, në Memaliaj, është Monument Kulture e cila po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit. Kjo teqe mbart vlerat e traditës bektashiane si dhe ka dhënë një kontribut të çmuar për arsimin shqip me hapjen, në vitin 1908, të shkollës së parë shqipe në krahinën e Tepelenës.
Përmes kësaj ndërhyrjeje, financuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndalet degradimin dhe mbrohet autenticiteti i monumentit. Ministri Gonxhja u shpreh se, restaurimi përmbush përgjegjësinë për t’ua përcjellë këtë pasuri brezave të ardhshëm.
Teqeja e Koshtanit, e themeluar në vitin 1807, ka një rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore. Projekti për restaurimin dhe konservimi i saj, i hartuar nga IKTK dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, parashikon konsolidimin strukturor të objektit, restaurimin e çatisë me rrasa guri, rikuperimin e elementeve drusore origjinale, restaurimin e dyshemeve dhe tavaneve, si dhe trajtimin e fasadave për mbrojtjen afatgjatë të monumentit.





