Qyteti mesjetar Sarda, i shpallur Monument Kulture, Kategoria I, në vitin 1967, ngrihej mbi një kodër shkëmbore në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 10 km në jug të qytetit të Shkodrës. Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vaut të Dejës, kodra e Shurdhahut u kthye në ishull.

Tashmë për të shkuar atje, duhet një mjet lundrues. Lundrimi në drejtim të Sardës kalon në gjelbërimin dhe historinë mahnitëse të kësaj zone që pjesa më e madhe është mbuluar nga uji i liqenit.

Sarda përmendet që në shek. IX si seli Ipeshkvnore dhe qendër e Polatit që përfshinte malësitë në të dy anët e Drinit, nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës. Sarda përbri Drinit shërbente dhe si një pikë ndërlidhëse e rrugëve antike që lidhnin Shkodrën me qytete si Gjakova e Prizreni.