Qeveria e Kosovës ka vazhduar shtesat prej 50 euro për punëtorët e sektorit publik edhe për muajin janar 2023. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për lirinë fetare dhe programin e ri legjislativ për këtë vit. Kryeministri Albin Kurti tha se, përmes projektligjit për lirinë fetare, bashkësitë fetare fitojnë statusin juridik, pasi iu jep mundësinë atyre të regjistrohen zyrtarisht. “Liria fetare zë një vend të veçantë në një shoqëri të lirë dhe të hapur siç është Republika e Kosovës. Mendimet dhe besimet e ndryshme, vazhdimisht qarkullojnë lirshëm midis qytetarëve tanë, në një vend të lirë dhe hapur si Kosova është e pamundur që gjithë individët të kenë bindje të njëjta fetare, përkundrazi diversiteti i bindjeve fetare të popullatës është i pashmangshëm. Një ndër qëllimet më të rëndësishme të Projektligjit është qëllimi për të ruajtur dhe për të promovuar këtë pluralizëm fetar. Projektligji do t’iu ofrojë bashkësive të ndryshme fetare mundësinë për tu regjistruar zyrtarisht. Ndryshimet e propozuara dëshmojnë se qeveria jonë e merr seriozisht detyrimin, jo vetëm për të garantuar respektimin e plotë të lirisë fetare, por edhe për të siguruar se kjo liri të garantohet në mënyr të barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim”, tha ai. Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, arsyetoi vendimin për ndarje të shtesës prej 50 euro për sektorët publik dhe mbështetjen prej 60 euro për punëtorët shëndetësor. Ai tha se kjo po bëhet për shkak që Ligji i Pagave ende nuk ka hyrë në fuqi. “Vendimi paraprak kishte të bënte me personelin shëndetësor, pra siç e thash për të mbuluar hendekun deri në muajin shkurt, kur edhe priten të ekzekutohen pagat me ligjin e ri të pagave. Ky vendim ka të bëjë edhe me shtesën në kuadër të pakos për përballje me inflacionin. Siç kemi thënë nuk do të lejojmë hendek deri në miratimin e ligjit të pagave do të ketë shtesë prej 50 euro për punëtorët e sektorit publik”, tha ai. Në mbledhje ne sotme, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për verëra dhe i dha dritë të gjelbër disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë, emëruan, Zenel Lekun kryetar të Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit. ATSH