Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me një fond prej 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Në kuadër të këtij programi parashikohet rindërtimi ose riparimi i 63 institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, duke garantuar mjedise të sigurta, moderne dhe dinjitoze me standardet e Bashkimit Evropian.
Në këtë proces të rëndësishëm, UNDP Albania ka ndërthurur dy parime themelore: “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”.
“Rindërtojmë më mirë” nënkupton struktura më të forta që mund t’iu rezistojnë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke pasur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. Të 63 objektet arsimore do të kenë burime të energjisë së rinovueshme, do të jenë plotësisht të aksesueshme nga nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të kenë hapësira të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike.
Ndërsa parimi “Rindërtojmë së bashku” ka ofruar mundësinë unike për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve të tyre arsimore dhe për ta “përshtatur” projektin sipas nevojave të tyre.