Një qen i humbur në Zelandën e Re u gjet pas një jave kërkimesh dhe u ribashkua me pronaren e tij, pas një operacioni të organizuar me ndihmën komunitetit.

Pas aksidentit të alpinistes Jessica Johnston, e cila ra rreth 55 metra nga një ujëvarë dhe u transportua në spital, qeni i saj Molly mbeti i vetëm në zonën e thellë pyjore.

Piloti i helikopterit Matt Newton, mori vetë nismën për të ndihmuar në kërkim. Ai kontaktoi Johnston në spital dhe nisi disa fluturime kërkimi, por fillimisht pa rezultat.

Më pas, Newton dhe familja e tij organizuan një fushatë për mbledhje fondesh, për të financuar më shumë orë fluturimi dhe pajisje të avancuara kërkimi. Dhjetëra qytetarë kontribuuan, duke mbledhur mbi 11 mijë dollarë për operacionin.

Falë këtyre fondeve, u mundësua përdorimi i pajisjeve me imazhe termike dhe vijimi i kërkimeve, ku u përfshinë edhe një infermiere veterinare, vullnetarë dhe një qen tjetër kërkimi i quajtur Bingo.

Molly u gjet të martën, vetëm disa metra larg vendit ku kishte rënë pronarja e saj. Sipas Newton, qeni u identifikua fillimisht përmes pajisjeve termike dhe më pas u pa vizualisht gjatë kërkimit përgjatë lumit.

Molly arriti të mbijetojë e vetme për rreth një javë në terren të ashpër pyjor, duke sfiduar kushtet e vështira të natyrës.

Helikopteri zbriti mjaftueshëm pranë zonës, duke lejuar një vullnetar dhe qenin Bingo të ndihmonin në afrimin dhe shpëtimin e Molly-it.