Qendra Muzeore Durrës pastron muret rrethuese të qytetit

0
1

Qendra Muzeore Durrës ka ndarë një album fotografik me momente shkëputur nga aksioni i për pastrimin e mureve rrethuese të qytetit dhe të krejt zonës muzeore. QMD u bëri thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë ndaj zhgaravitjes dhe dëmtimit të trashëgimisë sonë kulturore, e cila është pasuri e çmuar e të gjithë komunitetit durrsak. Nga fotot e ndara në rrjetet sociale dallohen dëmtimet e bëra përmes zhgaravitjes, por edhe puna e punonjësve të mirëmbajtjes për pastrimin e mureve antike edhe prej vegjetacionit. Muret rrethuese të qytetit janë ndërtuar me blloqe dhe shekujt i kanë kursyer deri në ditët tona. Masivet që shihen sot në Durrës janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I në shekullin e katërt pas Krishtit. Perandori thuhet se mbrojti qytetin me radhë muresh prej tulle, nga të cilat sot kanë mbetur disa dhjetëra metra. Lartësia e tyre fillestare mendohet të ketë qenë 18 metra dhe gjerësia u jepte epërsi ndaj sulmeve të kundërshtarëve. Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj. Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.