Njerëzit dhe qentë kanë jetuar përkrah njëri-tjetrit për mijëra vite, duke ndërtuar një marrëdhënie të fortë, por jo gjithmonë të kuptuar plotësisht.
Sipas studiuesit, Clive Wynne në Universitetin Shtetëror te Arizonës, njerëzit shpesh mendojnë se i kuptojnë emocionet e qenve, por testet shkencore tregojnë se interpretimi i tyre shpesh është i pasaktë.
Një artikull i publikuar nga “The Washington Post”, bazuar në pyetje të lexuesve dhe analizat e ekspertëve të sjelljes së kafshëve, shpjegon disa nga sjelljet më të zakonshme dhe të çuditshme të qenve.
Pse qentë “vjedhin” këpucët?
Sipas studiueses, Karen Jesch në Kolegjin e Bostonit, këpucët kanë një aromë shumë të fortë dhe të veçantë për qentë, pasi lidhen drejtpërdrejt me pronarin e tyre.
Tek qentë, aroma aktivizon zona të trurit të lidhura me afeksionin, duke i bërë objektet personale të njeriut “tërheqëse emocionalisht”.
Pse ulërijnë qentë kur dëgjojnë radion?
Ulërima është një sjellje e trashëguar nga ujqërit, të cilët e përdorin si mënyrë komunikimi me tufën.
Edhe pse të zbutur, shumë e qen ruajnë këtë instinkt dhe mund të reagojnë ndaj tingujve muzikorë ose frekuencave që u kujtojnë ulërimën.
Pse nxjerrin ushqimin nga tasi?
Ekspertët shpjegojnë se kjo sjellje mund të lidhet me instinktin e mbrojtjes së burimeve, sidomos kur në shtëpi ka kafshë ose fëmijë të tjerë.
Megjithatë, mund të jetë edhe çështje preference personale ose komoditeti, ashtu si njerëzit që preferojnë të hanë në vende të ndryshme.
Pse shkatërrojnë objekte si lodra apo konet e trafikut?
Sipas studiuesve, kjo sjellje lidhet me “sekuencën predatore” të trashëguar: kërkim, ndjekje, kapje dhe copëtim.
Vanessa Woods nga Universiteti Duke thekson se shumica e qenve kanë një instinkt natyror për të shkatërruar objekte, por secili prej tyre shfaq preferenca të ndryshme për materiale dhe forma.
Ekspertët theksojnë se shumë nga sjelljet që njerëzit i konsiderojnë “të çuditshme” tek qentë janë në fakt pasqyra e instinkteve të trashëguara evolucionare, të kombinuara me mënyrën moderne të jetesës së kafshëve shtëpiake.
Në vend të sjelljeve të pakuptimta, ato janë forma komunikimi dhe reagimi natyror ndaj botës përreth





