Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në lidhje me protestën e pedagogëve, se me forcë dhe me ultimatume, kësaj qeverie dhe nuk i merret gjë, ndërsa shtoi që po përgatisim një mbështetje të re për universitetin nuk diskutohet, që do të përfshijë edhe rritje pagash. I pyetur nga qytetarët në një komunikim online në lidhje me protestën e pedagogëve për rritje pagash, Rama u shpreh se, “më vjen shumë keq por mbase është momenti për ta përsëritur që me forcë dhe me ultimatume, kësaj qeverie dhe mua nuk i merret gjë, aq më tepër në këtë kohë krize, aq më tepër kur me të gjithë rektorët e universiteteve ne kemi një tryezë të hapur të vazhdueshme, një dialog shumë pozitiv dhe konstruktiv që na ka dhënë disa rezultate pozitive”. “Kemi një tryezë tjetër me ta. Kemi folur dhe për çështjen e pagave të pedagogëve por jemi në një tjetër kontekst, mos harrojmë, universiteti ka të tjera horizonte për të kapur dhe nuk është një administratë publike e zakonshme, nuk është as sistemi para universitar”, tha Rama. “Universiteti me autonominë e tij e me gjithë reformën që është ende në proces dhe është ende larg së qeni e implementuar, duhet të jetë në gjendje të krijojë të ardhurat e veta dhe sot në universitetin e Tiranës kemi disa të dhëna shumë interesante që flasin për rritjen e të ardhurave të pedagogëve si rezultat i rritjes së vëmendjes falë lidershipit të ri të universitetit, ndaj programeve ndërkombëtare”, u shpreh Rama. “Kemi shumë më tepër akses në fondet evropiane, kemi shumë më tepër të ardhura nga fondet evropiane e si rezultat i kësaj kemi një numër më të madh pedagogësh që janë përshirë e kanë të ardhura më të mira. Të merituar plotësisht e ne nuk do bëjmë për universitetin asnjëherë që të jeni të qartë, sepse është kundër filozofisë së reformës, një rritje të përgjithshme të gjithë njësoj. Këtë ne nuk e bëjmë. E para, universitetet mund ta bëjnë vetë, ne ua kemi dhënë ok, na e kanë kërkuar një miratim për t’i rritur pagat e pedagogëve deri në 20% me të ardhurat e tyre, pa cenuar asgjë tjetër, i kemi thënë patjetër, këtë mund ta bëni, por me buxhetin e shtetit, me të ardhurat e mbledhura nga kontributi i taksapaguesve, ne do të shikojmë çfarë secili universitet i jep shoqërisë, i jep taksapaguesve mbrapsht si kontribut, jo thjeshtë studentë që dalin e marrin diplomë e patjetër do të vlerësojmë suksesin”, tha Rama. Pra, shtoi Rama “po përgatisim një mbështetje të re për universitetin nuk diskutohet, që do të përfshijë edhe rritje pagash nuk diskutohet”. “Por këto daljet me bllokime dhe me kërcënime dhe që duam kaq ose ramë e vdiqëm, këto janë edhe nuk e di se si janë këto në një kohë krize, kur në fakt duhet të dilnin të tjerë por nuk dalin, janë shumë më mirëkuptues pensionistët se sa disa që nuk e di se a meritojnë edhe rrogën që kanë jo më të marrin edhe shtesë rrogë. Nuk e kam rastin konkret por e kam fjalën për disa që bërtasin më shumë se të gjithë dhe shpesh herë ndodh që janë ata që janë më mirë se të gjithë dhe pa meritë fare”, shtoi ai.http://ata.gov.al/2022/09/17/protesta-e-pedagogeve-rama-po-pergatisim-nje-mbeshtetje-te-re-per-universitetet/