Në Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin në vitin që vjen, është propozuar edhe futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale e furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira. Bëhet fjalë për avokatët, mjekët, infermierët, kontabilistët e miratuar, audituesit, noterët, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, etj., të cilët prej dy vitesh nuk kanë paguar taksat, së bashku me biznesin e vogël me xhiro deri më 14 milionë lekë në vit. Në ndryshimet e propozuara, tatimi për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë është zero dhe do të mbetet zero. Argumenti që një pjesë e profesioneve të lira të përfshihen në skemën e taksimit mbështetet tek shmangia që kanë bërë shumë individë që ofrojnë shërbime të tilla. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me mbi 2 miliardë lekë në vit. “Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” synojnë përmirësimin e sistemit të taksimit të individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri, forcimin e parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri, me parimet e Direktivave të BE-së në lidhje me tatimin e të ardhurave dhe kapitalit, adresimin e mangësive dhe boshllëqeve legjislative të konstatuara gjatë periudhës 22 vjeçare të aplikimit të ligjit ekzistues, duke synuar funksionalizimin e një sistemi tatimi më të drejtë dhe stimulues, më të ndershëm dhe të gjithëpranuar”, u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale për vitin 2023 në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, javën e shkuar.https://ata.gov.al/2022/10/24/profesionet-e-lira-ne-skemen-e-taksimit-te-te-ardhurave-personale/