Këtë vit, Porto Palermo Festival bashkon forcat me organizata të dedikuara ruajtjes së mjedisit për të shenjuar fillimin e edicionit të tretë të tij. Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. Gjatë dy edicioneve të para, 2021 dhe 2022, fokusi ishte rivitalizimi i kësaj pike turistike dhe zonës së portit. Festivali nis sot rrugëtimin përmes pastrimit të detit dhe përmirësimit të hapësirës përreth kalasë, besimplotë në krijimin e ndërgjegjësimit tek turistët dhe vizitorët dhe duke edukuar të rinjtë drejt një ndikimi të qëndrueshëm. Festivali i Porto Palermos, ashtu si dhe në edicionet e tjera, do të mbushë kalanë historike të Ali Pashës, fundjavave përgjatë 1 muaji. E vendosur në një ishull të vogël në Gjirin e Porto Palermos, kjo perlë kulturore ndërthur traditën, historinë, detin dhe muzikën në një mjedis mahnitës. Pikërisht aty violinist i mirënjohur Olen Cesari do të mbledhë një grup artistësh të jashtëzakonshëm, që do të sjellin në jetë kështjellën çdo fundjavë, duke shkrirë modernizmin dhe trashëgiminë shqiptare. atsh