Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda ka nënshkruar një legjislacion për të siguruar 14,5 miliardë euro financim për termocentralin e parë bërthamor të vendit.

Siç raportojnë mediat lokale, Varshava tani ka nevojë për miratimin e BE-së për një nivel kaq të lartë të ndihmës shtetërore që projekti të vazhdojë.

Zhvilluar nga ”Polskie Elektrownie Jadrowe”, në pronësi shtetërore, centrali do të ketë një kapacitet të planifikuar të prodhimit të energjisë elektrike deri në 3,75 GW.

Firma amerikane ”Westinghouse” në vitin 2022 u zgjodh si partnere.

Sipas Ministrisë së Industrisë, ndërtimi do të nisë në vitin 2028, ndërsa i pari nga tre reaktorët do të aktivizohet në vitin 2036 dhe do të jetë plotësisht funksional në fillim të vitit 2039.

Polonia ka qenë e prirur për të çimentuar marrëdhëniet tregtare me kompanitë amerikane në sektorët e ushtrisë, sigurisë dhe energjisë, si një mënyrë për të lidhur Uashingtonin me vendin e Evropës Lindore, ndërsa mbështetja e SHBA-së për NATO-n dhe BE-në zbehet.

Koalicioni qeverisës i kryeministrit Donald Tusk shtatorin e kaluar miratoi shpenzimet prej 4,5 miliardë eurosh midis viteve 2025 dhe 2030 për projektin dhe në shkurt, parlamenti miratoi një projektligj për këtë qëllim.

Në nëntor, Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar e SHBA-së nënshkroi një letër qëllimi për të siguruar një miliard dollarë financim për ndërtimin.

Sipas Programit të Polonisë për Energjinë Bërthamore, do të ketë një stacion të dytë të energjisë bërthamore, me një kapacitet total të kombinuar prej 6 dhe 9 GW