Plani parashikon miratimin e objektivit minimal për përqindjen e automjeteve me lëndë djegëse të pastra në prokurimet publike, miratimin e legjislacionit të nevojshëm, si dhe përgatitjen e dokumenteve standarde të prokurimit që do të përdoren nga institucionet.

Për automjetet e lehta, kriteret për përcaktimin e mjeteve të pastra janë bërë më të rrepta.

Deri më 31 dhjetor 2025, një makinë ose furgon konsiderohej automjet i lehtë me lëndë djegëse të pastër nëse emetonte jo më shumë se 50 gramë CO2 për kilometër dhe përmbushte kufijtë e përcaktuar për emetimet e NOx dhe grimcave në kushte reale drejtimi.

Por, duke nisur nga 1 janari 2026, automjetet e lehta të konsideruara të pastra janë vetëm ato me zero shkarkime.

Në këtë kuadër, objektivi i përcaktuar për administratën lidhet me automjetet e reja që prokurohen nga institucionet publike, dhe nuk nënkupton që e gjithë flota ekzistuese e administratës duhet të zëvendësohet menjëherë.

Plani përcakton objektiva të veçantë edhe për automjetet e rënda.

Deri në vitin 2030, synohet që 20% e automjeteve të rënda dhe kamionëve të prokuruar të përdorin lëndë djegëse të pastra, ndërsa për autobusët objektivi është 25%.

Për këto kategori, lista e teknologjive dhe lëndëve djegëse të konsideruara të pastra është më e gjerë dhe përfshin hidrogjenin, bateritë elektrike, hibridet plug-in, gazin natyror të ngjeshur dhe të lëngshëm, përfshirë biometanin, biokarburantet e lëngshme, lëndët djegëse sintetike dhe parafinike, si dhe gazin e lëngshëm të naftës.

Për zbatimin e masës parashikohet mbështetja e autoriteteve publike me dokumente prokurimi të gatshme për përdorim, ndërsa për përgatitjen e dokumenteve dhe trajnimin e stafit është parashikuar një kosto prej rreth 10 mijë euro për asistencë teknike.

Dokumenti nuk përcakton një buxhet specifik për kostot e investimit për zëvendësimin e automjeteve, ndërsa financimi parashikohet të mbështetet nga buxheti dhe donatorët.

Kalimi i flotës publike drejt automjeteve me emetime më të ulëta shihet si një nga masat për të nxitur elektrifikimin e transportit dhe për të krijuar një kërkesë më të madhe në treg për automjete më të pastra.

Plani i rishikuar përcakton gjithashtu objektivin që pjesa e energjisë së rinovueshme në transport të rritet nga 0,5% aktualisht në rreth 34,8% deri në vitin 2030, përmes elektrifikimit të transportit rrugor, zgjerimit të infrastrukturës së karikimit për automjetet elektrike, forcimit të transportit publik dhe zhvillimit të transportit hekurudhor.