Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se lundrimet nga Porti i Vlorës do të pezullohen për tri ditë, për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit për shkak të kushteve atmosferike. Sipas njoftimit, vetëm anijet e transportit ndërkombëtar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. “Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj gjatë datave 22-23-24.09.2023 duke filluar nga ora 08:00 datë 22.09.2023 në drejtimin jug-juglindje në forcën deri 6bft me shpejtësi ere deri 15m/s, dhe lartësi dallge deri 2.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën deri 7bft me shpejtësi ere deri 25m/s dhe lartësi dallge nga 2.00 deri 2.50 metra”, vijoi njoftimi. Drejtoria e Përgjithshme Detare duke marrë shkas nga këto kushte atmosferike ka vendosur dhënien e lejes së nisjes gjatë datave 22-23-24.09.2023 duke filluar nga ora 08:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre. “Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuar dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre. Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 22-23-24.09.2023. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 12:00 të datës 24 shtator”, përfundon njoftimi.
Pezullohet për 3 ditë lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Vlorë
RELATED ARTICLES