Rruga e re Miras – Arrëz është një tjetër segment i planit të zhvillimit strategjik të turizmit në qarkun e Korçës. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky aks i rëndësishëm rrugor, i cili ka përfunduar tashmë duke krijuar lehtësi në qarkullimin e mjeteve. “Vijojmë pa u ndalur me projektet e infrastrukturës rrugore në çdo skaj të vendit. Ka përfunduar tashmë rruga Miras – Arrëz, një segment me rëndësi jo vetëm për qarkullimin e përditshëm të banorëve, por dhe si pjesë e zonës me potencial të madh turistik të Devollit të Sipërm, që përfshin trekëndëshin Dardhë – Nikolicë – Arrëz”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “për të plotësuar gjithë kuadratin turistik po punojmë për rikualifikimin urban të rrugicave të brendshme të fshatit Arrëz”. Qeveria po investon për shtrirjen e infrastrukturës në funksion të një oferte turistike të një rajoni të tërë që prek Përmetin, Gjirokastrën, zonën e Tepelenës, Gusmar, Kuç me dalje në det. Rruga me një financim prej 2.6 miliard lekësh, ka një gjatësi prej 8.5 km, gjerësi mbi 5 metra dhe është e pajisur me të gjitha veprat e artit.https://ata.gov.al/2022/08/27/perfundon-rruga-miras-arrez-zhvillim-potencialit-turistik-te-devollit/