Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka publikuar të dhëna nga puna e tij, sa i përket këtyre rasteve. Pasi deklaron se EULEX-i qëndron pranë familjarëve të 1621 personave të zhdukur të Kosovës të cilët janë viktima të këtij krimi mizor dhe kanë të drejtë të dinë të vërtetën rreth fatit të më të dashurve të tyre, ky mision rikujton se që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka punuar pareshtur për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur, tek familjet e tyre, për një varrim të respektuar dhe dinjitoz. “Që nga viti 2009, misioni ka kryer gjithsej 692 operacione në teren për gjetjen e personave të zhdukur, që përfshijnë 188 zhvarrime”, thekson EULEX-i në deklarimin zyrtar me anë të një komunikate për media. “Mbetjet mortore të 480 individëve janë identifikuar, përfshirë 332 persona të zhdukur”. EULEX-i shpjegon se gjatë periudhës gusht 2021 – gusht 2022, ekspertët e këtij misioni morën pjesë në 21 operacione në teren, që kanë përfshirë nëntë zhvarrime. “Kjo ka rezultuar në identifikimin e tre personave të zhdukur. Aktualisht ekspertët e EULEX-it janë po ashtu duke punuar me autoritetet e Kosovës për rishikimin e të gjitha mbetjeve mortore njerëzore, që janë të ruajtura në morgun e Prishtinës, si dhe të dosjeve të ndërlidhura”. EULEX-i shpjegon se për ta vështirësuar kërkimin e personave të zhdukur dhe për t’i fshehur provat, kryerësit e atyre krimeve i kanë fshehur trupat në varre të vogla klandestine apo edhe nëpër varreza. Kështu, nga varrezat myslimane në Mitrovicën e veriut janë zhvarrosur 89 mbetje mortore, ato ortodokse në Prishtinë, 81 mbetje mortore, në varrezat e Prizrenit janë zhvarrosur 77, në Shirokë, 59 dhe ato myslimane në lagjen “Arbëria” në prishtinë, 49 mbetje mortore. EULEX-i rikujton se është i përkushtuar të vazhdojë ofrimin e kontributit thelbësor për kërkimin e personave të zhdukur nga koha e luftës në Kosovë dhe pas tij.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=615506
Për 13 vjet EULEX kreu 692 operacione e 188 zhvarrime
RELATED ARTICLES