Pazari i Ri në Tiranë mbetet një nga destinacionet më të vizituara nga qytetarët vendas, por edhe turistët e huaj, të cilët zgjedhin ta përfshijnë në itinerarin e tyre gjatë qëndrimit në kryeqytet.
Vizitorë të huaj dhe vendas vijojnë të sfidojnë temperaturat e larta, duke shëtitur në rrugët e Tiranës dhe duke shijuar atmosferën verore të kryeqytetit.
Gjatë sezonit veror, fluksi i vizitorëve është edhe më i lartë, ndërsa Pazari i Ri vijon të jetë një nga hapësirat më të frekuentuara të Tiranës, duke kontribuar në promovimin e turizmit urban dhe të produkteve lokale.
Rikualifikimi i Pazarit të Ri e ka shndërruar këtë zonë në një qendër të rëndësishme të turizmit urban, ku tradita e tregtisë shumëvjeçare bashkëjeton me shërbimet moderne. Sot, ai është një nga vendet që rekomandohet më shpesh në guidat turistike për këdo që dëshiron të njohë nga afër identitetin, shijet dhe mikpritjen shqiptare.
Për shumë vizitorë të huaj, Pazari i Ri është një ndalesë e domosdoshme për të përjetuar jetën e përditshme të kryeqytetit dhe për të zbuluar shijet autentike të Shqipërisë.





