Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAOsmani:Drafti për Asociacionin po përgatitet

Osmani:Drafti për Asociacionin po përgatitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjidhje për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Osmani, pas adresimit në Parlamentin Evropian, u shpreh optimiste për t’i tejkaluar, siç i quajti ajo sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, derisa tha se nuk iu është përmendur asnjë sanksion nga partnerët ndërkombëtarë. Në konferencë për medie nga Strasburgu, Osmani, bëri të ditur se Kosova është duke përgatitur draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Unë mund t’i quaj sfida me të cilat po ballafaqohemi tani, por sfida që do t’i tejkalojmë. Jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar. Jam vazhdimisht në diskutime, kontakt me partnerët tanë në ShBA, me partnerët tanë me shtete individuale të BE-së dhe institucionet e BE-së. Do të them që jemi afër që rruga përpara të jetë një zgjidhje e përbashkët. Janë disa detaje që akoma duhet të diskutohen, por kam besimin e plot se kjo sfidë do të tejkalohet. Pasi rruga përpara duhet të jetë rruga e përbashkët… Sa i përket kërkesave ndërkombëtare, jemi afër dhe shumë prej çështjeve që janë kërkesa tona siç është sundimi i ligjit janë edhe kërkesë e tyre. Pastaj çështja e zgjedhjeve të reja, ka vullnet tek institucionet e Kosovës. Siç e dini këto zgjedhje organizohen nga KQZ-ja dhe presidentja i shpall zgjedhjet. Janë dy mundësi ligjore, e para varet nga vullneti politik i kryetarëve aktual, mundësia e dorëheqjes dhe e dyta e cila është shumë më demokratike dhe siguron pjesëmarrjen e serbëve në proces të zgjedhjeve të reja. Kjo është përmes 20 për qind të nënshkrimeve të listës së votuesve, jo nuk është numër i madh i nënshkrimeve”, tha ajo. Osmani shtoi se propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin nuk është bërë në konsultim me institucionet e Kosovës. Ajo tha se ekspertët në Kosovë po punojnë për hartimin e këtij drafti dhe i njëjti do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin amerikan për Asociacionin. “Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë obligime në procesin e dialogut në Bruksel që institucionet e Kosovës të përgatisin draftin. Ai draft është duke u përgatitur, po bëhet punë dhe është ai draft i cili do të vendos bazamentin e diskutimeve në Bruksel, sa i përket Asociacionit, por gjithmonë duke pas parasysh tri perimetra të rëndësishme. E para është Kushtetuta jonë, e dyta vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 dhe treta qëndrimi amerikan i botuar me shkrim nga Chollet dhe Escobar. Këto janë premisat dhe parametrat, ekspertët tanë po punojnë dhe draftet po konsolidohen. Kosova konsultohet me miq dhe ekspertë dhe në fund e propozon draftin e saj të cilin e ka marrë obligim”, theksoi Osmani. Ajo u pyet edhe për anulimin e mbledhjes Kosovë-Shqipëri, ku tha se është detyrim kombëtar që dy vendet të ulen bashkë. “Unë jam e bindur se Kosova dhe Shqipëria do të ulen bashkë dhe duhet të ulen bashkë. Jo vetëm që e kemi detyrim si dy vende që janë fqinje, por është detyrim kombëtar edhe kur nuk kemi sfida, por sidomos kur kemi sfida”, deklaroi Osmani.atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments