Zyrtarë të lartë të OKB-së para Këshillit të Sigurimit thane se Afganistani po përballet me një krizë humanitare gjithnjë e më të thellë dhe kufizime në rritje ndaj grave dhe vajzave, pavarësisht shenjave të stabilizimit ekonomik.

Georgette Gagnon, zv/përfaqësuesja speciale e OKB-së për Afganistanin dhe drejtuesja në detyrë e Misionit të Asistencës së OKB-së në Afganistan (UNAMA), tha se rreth 3.8 milionë vajza të moshës 7 deri në 18 vjeç nuk janë në shkollë, përfshirë mbi 2.6 milionë vajza adoleshente.

“Çdo vit, rreth 250.000 vajza të tjera përjashtohen përfundimisht nga arsimi i mesëm, duke krijuar një gjeneratë të humbur talentesh dhe potenciali”, tha ajo.

Ajo shtoi se vendi ka shënuar rritje ekonomike, stabilitet fiskal dhe përmirësim të mbledhjes së të ardhurave pavarësisht sanksioneve, por paralajmëroi se këto përfitime mbeten të brishta.

“Deri në 2.8 milionë afganë pritet të kthehen këtë vit – shumë prej tyre me pak pasuri dhe pak mundësi jetese. Afganët po kthehen në komunitete dhe në një ekonomi që nuk mund t’i riintegrojë plotësisht”, tha ajo.

Ajo theksoi se Afganistani mbetet një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, me 21.9 milionë njerëz ose rreth 45 për qind të popullsisë që kanë nevojë për ndihmë në vitin 2026.

Edem Wosornu, drejtoresha e Divizionit të Reagimit ndaj Krizave në Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, paralajmëroi se 4.7 milionë njerëz janë në rrezik nga pasiguria e rëndë ushqimore, një rritje prej 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa 3.7 milionë fëmijë përballen me kequshqyerje akute.

“Përgjigjja po kufizohet rëndë nga mungesa e financimit”, tha ajo, duke theksuar se vetëm 15 për qind e thirrjes humanitare prej 1.71 miliardë dollarësh për vitin 2026 është financuar deri tani.

Pa mbështetje shtesë, tha ajo, operacionet e ndihmës dhe programet për parandalimin e urisë për miliona afganë të cenueshëm mund të reduktohen.