Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), ka pak vend për optimizëm për të ardhmen e klimës.
Raporti thekson se çekuilibri midis energjisë që Toka merr nga dielli dhe asaj që kthen në hapësirë po rritet me shpejtësi.
Ky fenomen konsiderohet një tregues kyç i ndryshimeve klimatike dhe, për herë të parë, është vënë në qendër të analizës së WMO-së.
Ndërkohë, temperaturat globale vazhdojnë të rriten, oqeanet po ngrohen gjithnjë e më shumë, ndërsa akujt dhe akullnajat po shkrihen me ritme të përshpejtuara.
Po ashtu, përqendrimi i gazeve serrë në atmosferë ka arritur nivele rekord, të papara për të paktën 800 mijë vjet.
Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e WMO-së, Ko Barrett, theksoi se nuk ka vend për të mohuar realitetin, duke paralajmëruar se treguesit aktualë nuk japin shumë shpresë. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi situatën si emergjencë, duke thënë se planeti po shtyhet përtej kufijve të tij.
Sipas raportit, periudha 2015–2025 rezulton të jetë më e nxehta në historinë e matjeve, ndërsa viti i kaluar ishte ndër më të ngrohtët e regjistruar, me temperatura mesatare rreth 1.43 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Një pjesë e madhe e energjisë së tepërt, mbi 91%, depozitohet në oqeane, duke përshpejtuar ngrohjen e tyre.
Sipas të dhënave, ritmi i ngrohjes së oqeaneve është më shumë se dyfishuar në dekadat e fundit, duke thelluar më tej krizën klimatike globale





