Numri i të porsalindurve në Korenë e Jugut në vitin 2024 u rrit për herë të parë në nëntë vjet, sipas të dhënave zyrtare.
“Numri i të porsalindurve ishte 238 300, një rritje prej 300 (3,6%) nga viti në vit”, sipas të dhënave të agjencisë së statistikave të Koresë së Jugut.
Hera e fundit që vendi pati një rritje vjetore të lindjeve ishte viti 2015, kur lindën 438 400 fëmijë krahasuar me 435 400 një vit më parë.
Shkalla e fertilitetit – numri i fëmijëve që një grua pritet të ketë mesatarisht gjatë jetës së saj – u rrit gjithashtu për herë të parë në nëntë vjet, duke arritur në 0,75 në 2024 nga 0,72 një vit më parë.
Shifra është shumë më e ulët se e ashtuquajtura norma e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, e cila nevojitet për të mbajtur popullsinë nga tkurrja.
Shkalla e lindjeve ka rënë ndjeshëm në Korenë e Jugut gjatë dekadave të fundit.
Vendi ka një nga nivelet më të ulëta të lindjeve në botë. Koreja e Jugut është e vetmja anëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me një normë lindjeje nën 1.
Sipas të dhënave të OECD-së, popullsia e Koresë së Jugut – e cila ishte 51,7 milionë në vitin 2023 – pritet të përgjysmohet deri në vitin 2082.