Zgjidhja për të mposhtur verbërinë njerëzore mund të fshihet tek një kërmill i ujërave të ëmbla që është në gjendje të rigjenerojë syrin brenda vetëm 30 ditësh.

Bëhet fjalë për Pomacea canaliculata, i njohur si “kërmilli i mollës së artë”, një specie që po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor për aftësinë e saj të jashtëzakonshme rigjeneruese.

Ky kërmill mund të rigjenerojë plotësisht syrin pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke rindërtuar thjerrëzën, retinën dhe nervin optik brenda rreth një muaji.

Studiuesit e kanë përqendruar vëmendjen te kjo specie sepse syri i saj i tipit “kamera” ndan tipare thelbësore strukturore me syrin e njeriut, duke e bërë atë një model të rrallë për të studiuar se si një sistem kompleks shikimi mund të rindërtohet nga e para.

Studimi është publikuar në revistën shkencore “Nature Communications”, ku biologia e “Universitetit të Kalifornisë”, Davis, Alice Accorsi, së bashku me ekipin e saj, kombinuan diseksione dhe analiza gjenomike për të hetuar mekanizmat që fshihen pas këtij fenomeni.

Sipas tyre, shumë nga gjenet që kontrollojnë zhvillimin e syrit tek njerëzit janë gjithashtu të pranishme dhe aktive tek ky kërmill.

Pas rigjenerimit, struktura e syrit të ri dhe profili i shprehjes gjenike përputhen ngushtë me ato të syrit origjinal.