Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u bë promovimi i librit “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor” të Luigj dhe Nikolin Gurakuqit. Nikolini dhe Luigji, at e bir, dy mjeshtra të skenës shqiptare, me një kontribut të çmuar në artin skenik, sjellin eksperiencat e tyre jetësore, studimet e shumta si dhe punën e gjatë në skenë, të përmbledhura në një libër, si udhërrëfyes për artistët dhe regjisorët e rinj. Në Hollin Koncertor, të TKOB-së, me këtë rast gjendeshin kolegë, miq e studentë të profesor Nikolin Gurakuqit, i cili e solli këtë libër si vazhdimësi të përvojës shumëdekadëshe të tij dhe babait Luigj Gurakuqi. Ky studim, i pari i ketij lloji tek ne, i filluar nga Luigj Gurakuqi e i vazhduar nga biri i tij, Nikolini, për specifikën e teatrit muzikor, është mbështetur jo vetëm në eksperiencën e brendshme, të operas sonë kombëtare, por edhe në eksperiencën ndërkombëtare të regjisurës dhe aktrimit të kënduar në teatrin muzikor bashkëkohor, duke ju referuar teatrove të mëdhenj operistike të perëndimit dhe lindjes, dhe regjisorëve të mëdhenj botërore. Promovimi i librit, me herët është kryer edhe në Prishtinë, gjatë një masterclass-e me regjisorin e mirënjohur Nikolin Gurakuqi.