Nga 1 prill 2025, të gjithë transportuesit hekurudhorë dhe rrugorë që dërgojnë mallra në ose përmes Bashkimit Europian do të jenë të detyruar të dorëzojnë të dhëna paraprake mbi mallrat përmes sistemit të ri “Import Control System 2” (ICS2).
Lajmin e bëri të ditur në një njoftim për shtyp Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ku theksoi se, kjo kërkesë përfshin dorëzimin e një deklarate të përmbledhjes së Hyrjes (ENS) përpara mbërritjes në BE.
Sipas DHTIT, operatorët që nuk janë ende gati duhet të kontaktojnë Shërbimin Kombëtar të Ndihmës në vendin ku janë regjistruar dhe kanë marrë numrin EORI për të kërkuar një dritare zbatimi deri më 1 mars 2025.
Ky dokument jepet vetëm me kërkesë të operatorit.
“Në rast të çdo paqartësie, Komisioni Europian organizon seminare mujore online për të ndihmuar operatorët ekonomikë të përgatiten për ICS2. Seminari i ardhshëm mbahet më 5 Shkurt 2025. Megjithatë, në rast kërkese nga operatorët ekonomikë, Komisioni Europian mund të sigurojë edhe organizimin e seminareve në bazë të nevojave përkatëse të secilit shtet ose rajon”, lexohet në njoftim.
“Këto rregulla prekin gjithashtu transportuesit postarë dhe ekspres, ofruesit logjistikë dhe, në disa raste, marrësit përfundimtarë në BE. Për të shmangur vonesat doganore, kompanitë duhet të përgatiten menjëherë duke mbledhur të dhëna të sakta, duke zhvilluar sistemet IT dhe duke përfunduar testimet e nevojshme”, citohet në njoftimin për shtyp DHTIT.