NATO deklaroi se Irani duhet të përdorë ndikimin e tij për të kontrolluar rebelët Houthi të Jemenit, të cilët mbështeten, furnizohen dhe pajisen nga Teherani. ‘’Irani ka një përgjegjësi të veçantë kur bëhet fjalë për “proxitët” e tij. Sulmet Houthi duhet të ndalen’’, theksoi zëdhënësi i NATO-s, Dylan White. Që nga shpërthimi i luftës së Gazës midis Izraelit dhe Hamasit në tetor 2023, rrebelët Houthi e mbështetur nga Irani kanë sulmuar vazhdimisht anijet me një lidhje të dyshuar izraelite në Detin e Kuq. Kompanitë e mëdha të transportit e shmangin gjithnjë e më shumë këtë rrugë, duke i detyruar ato të devijojnë përgjatë një rruge shumë më të gjatë dhe më të shtrenjtë rreth Afrikës së Jugut. Si përgjigje, në orët e para të së premtes, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe aleatët e tjerë perëndimorë filluan sulme ajrore në disa pozicione të Houthi-ve në Jemen. Zëdhënësi i NATO-s i quajti këto sulme mbrojtëse dhe synonin ruajtjen e lirisë së lundrimit në një nga rrugët ujore më të rëndësishme në botë