Ministria e Mbrojtjes informoi se situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve “Canadair” të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
“Mirënjohje palës italiane për ndihmën si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset. Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes.
Po ashtu, ministria e Mbrojtjes informoi se është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, bashkia Vlorë, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri, gatë ditës së sotme.
“Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët”, përfundon njoftimi.