Punimet e shëndetësimit në pyje janë po aq të rëndësishme sa pyllëzimet për të garantuar shërbimet që ofrojnë këto ekosisteme. Në kuadër të projektit EU4Nature, është përgatitur një paketë rregullatore “Mbi Menaxhimin e Procesit të Ndërhyrjeve të Nevojshme për Rigjenerimin dhe Shëndetësimin e Ekosistemeve në Pyjet e Zonave të Mbrojtura”, si edhe metodologjia për përllogaritjen e kostove të këtyre punimeve. Dokumentet e përgatitura në konsultim me specialistët e AKZM dhe AdZM-ve, synojne të unifikojnë, përmirësojnë dhe standardizojnë punimet për shëndetësimin e pyjeve, për të garantuar shërbimet e ekosistemit që ato ofrojnë dhe gjenerimin e të ardhurave. Përfaqësues të projektit EU4Nature, bashkë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe përfaqësues nga 12 administratat rajonale të zonave të mbrojtura, organizuam një takim konsultimi, ku menaxherët e zonave të mbrojtura u njohën me këtë paketë rregullatore. Ky shënon një hap kyç për të implementuar praktika të qëndrueshme që do të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e natyrës, por edhe në mbështetjen e komuniteteve që jetojnë në afërsi të këtyre zonave. Projekti mbështetet financiarisht nga BE dhe Ambasada e Suedisë në Tiranë dhe zbatohet nga PNUD në bashkëpunim me AICS Tirana.