Pozicioni i krahut gjatë matjes së tensionit arterial mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e përftuara, duke bërë që vlerat të rezultojnë më të larta se ato reale dhe të çojnë në diagnostikime të pasakta të hipertensionit, shkruan salute eu.

Një studim i publikuar në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, i koordinuar nga studiuesja Tammy Brady e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins, thekson rëndësinë e mbajtjes së krahut të mbështetur gjatë matjes së presionit të gjakut.

Studiuesit krahasuan tri pozicione të ndryshme të krahut: të mbështetur mbi një tavolinë, të vendosur mbi prehër dhe të lënë të varur lirshëm anash trupit.

Rezultatet treguan se, kur krahu mbahej mbi prehër, presioni sistolik ishte mesatarisht rreth 4 mmHg më i lartë krahasuar me pozicionin e rekomanduar. Kur krahu lihej i varur anash trupit, diferenca arrinte në afro 7 mmHg.

Sipas studiuesve, këto ndryshime mund të ndikojnë në interpretimin e rezultateve dhe të çojnë në klasifikimin e gabuar të një personi si me tension të lartë. Për shembull, një vlerë e matur gabimisht mund të kalojë nga 133 në afro 140 mmHg, duke ndryshuar edhe vlerësimin e rrezikut shëndetësor.

Hipertensioni shpesh nuk shfaq simptoma të dukshme, ndaj matja e saktë është thelbësore për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e komplikacioneve kardiovaskulare, përfshirë infarktin dhe goditjen në tru.