Departamenti i Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit organizoi këto dy ditë një kurs të rëndësishëm për ndihmën e shpejtë dhe reanimimin kardiopulmonar me fizioterapistë shqiptarë të angazhuar në botën e futbollit. Veç drejtuesit të Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Gianluca Stesina dhe koordinatorit të këtij departamenti, Ilvi Begollit, i pranishëm në këtë kurs ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj. Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Ilvi Begolli zbuloi dy ditët intensive të kursit me fizioterapistët shqiptarë dhe rëndësinë e këtij kursi. “Dje ishte seminari i radhës në FSHF me temë reanimimi kardio-pulmonar. Ky seminar nuk u bë nga lektorët e zakonshëm por kishim një bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore, me Doktor Skënder Brataj, i cili solli të gjithë ekipin e tij për të trajnuar fizioterapistët dhe mjekët për ndihmën e shpejtë, arrestin kardiak. Fizioterapistët u trajnuan se si të japin ndihmën e parë dhe se si të përdorin defribilatorin, hambunë; detaje që janë të nevojshme për çdo fizioterapist dhe mjek, të cilët janë pjesë të futbollit”, tha doktor Ilvi Begolli, i cili zbuloi gjithashtu se duke nisur nga ky vit, të gjithë studentët, fizioterapistët e mjekët, të cilët duan të profilizohen në fushën e Mjekësisë Sportive, do të kenë mundësi të ndjekin një program Masteri në Universitetin e Sporteve të Tiranës, që vjen si bashkëpunim i UST-së dhe FSHF-së.