Sunday, October 27, 2024
HomeSIZMIOLOGJIMaroku në zi dhe lot për viktimat e tërmetit

Maroku në zi dhe lot për viktimat e tërmetit

Maroku po mban zi për të gjitha viktimat, pas tërmetit të dhunshëm që shkatërroi një pjesë të madhe të vendit dhe në të cilin vdiqën më shumë se 2 000 persona, sipas raportit të fundit zyrtar, i cili ka të ngjarë të përkeqësohet gjatë ditës. Tërmeti me magnitudë 7,0 ballë Rihter sipas Qendrës Marokene për Kërkime Shkencore dhe Teknike (6.8 sipas Shërbimit Sizmologjik Amerikan), është më i fuqishmi që është matur ndonjëherë në Marok. ”Ai vrau të paktën 2 012 persona dhe plagosi 2 059 të tjerë, nga të cilët 1 404 janë në gjendje shumë të rëndë”, njoftoi Ministria e Brendshme të shtunën në mbrëmje. Provinca Al-Haouz, ku ndodhej dhe epiqendra e tërmetit, është më e goditura, me 1 293 të vdekur, e ndjekur nga provinca e Taroudant me 452 të vdekur. Në këto dy zona që ndodhen në jugperëndim të qytetit turistik të Marakesh, fshatra të tëra u zhdukën nga tërmeti. “Kam humbur gjithçka”, thotë Lahcen, një banor i fshatit Moulay Brahim, në malet Atlas, gruaja dhe katër fëmijët e të cilit u vranë. ”Nuk mund të bëj asgjë për këtë tani, dua vetëm të iki nga kjo botë, të mbaj zi”, vazhdon ai. – Varrimet e para – Në lartësitë e këtij fshati me rreth 3 000 banorë, Bouchra fshin lotët me shallin e saj, ndërsa shikon burrat që gërmojnë varre për të varrosur të vdekurit. “Kushëririt im kanë vdekur nipërit”, tha ajo, para se të shtonte me zë të mbytur se “pashë drejtpërdrejt shkatërrimin e tërmetit dhe ende po dridhem. Ishte si një top i zjarrtë që përfshiu gjithçka në rrugën e tij”. ”Të gjithë këtu kanë humbur familjen, qoftë në fshatin tonë apo gjetkë në rajon”, vazhdon ajo. Mbretëria ka shpallur zi kombëtare treditore dhe liderët botërorë kanë shprehur shqetësimin dhe ngushëllimet e tyre. Disa vende, përfshirë Izraelin, Francën, Spanjën, Italinë dhe SHBA kanë ofruar ndihmë. Edhe Algjeria fqinje, me marrëdhënie jo të mira me Marokun, ka hapur hapësirën e saj ajrore të mbyllur prej dy vitesh për fluturimet që transportojnë ndihma humanitare dhe të plagosurit. – Vite ndihmë – Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, nevojat e Marokut për ndihmë janë të mëdha. “Nuk do të jetë një çështje e një ose dy javësh (…) Ne po llogarisim në muaj, madje edhe vite”, paralajmëroi në një deklaratë për shtyp Hossam Elsharkawi, drejtor për Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Fshati Tafeghaghte, 60 kilometra në jugperëndim të Marakeshit, u shkatërrua pothuajse plotësisht nga tërmeti, epiqendra e të cilit ishte vetëm rreth 50 kilometra larg. Pak nga ndërtesat janë ende në këmbë. “Tre nga nipërit e mi (12, 8 dhe 4 vjeç) dhe nëna e tyre kanë vdekur, ata janë ende nën rrënoja, jo shumë kohë më parë ne po luanim së bashku”, tha Omar Benhanna, 72 vjeç. Të shtunën, shumë banorë shkuan në varreza për të varrosur rreth 70 persona. Ritet e varrimit u përshkuan nga britma dhe lot. Në mbrëmje, kanalet televizive transmetonin pamje ajrore që tregonin fshatra të tëra me shtëpi prej balte në rajonin e Al-Haouz të rrafshuara plotësisht. ”Autoritetet publike janë ende të mobilizuara për të përshpejtuar operacionet e shpëtimit dhe evakuimit të të plagosurve”, tha dje Ministria e Brendshme. Në Marakesh, rrugët e Mellah, lagjja historike hebraike, janë të mbushura me mbeturina. Dhjetra njerëz e kaluan natën e dytë jashtë, nga frika se shtëpitë e tyre të dëmtuara do të shembeshin mbi ta. ”Shiko ku po flenë gjithë këta njerëz, nuk ka ndihmë për ne, shtëpitë tona janë plasaritur, të tjera të shkatërruara si ajo e vajzës sime që u zhduk, është kaos”, tregon Fatima Satir, 62 vjeçe, banore e Mellahut. Lëkundjet u ndjenë edhe në Rabat, Casablanca, Agadir dhe Essaouira, ku shumë banorë të panik dolën në rrugë në mes të natës, nga frika e shembjes së shtëpive të tyre. Ky është tërmeti më vdekjeprurës në Marok që nga ai që shkatërroi Agadirin, në bregun perëndimor të vendit, më 29 shkurt 1960. Afro 15 000 persona ose një e treta e popullsisë së qytetit vdiqën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments